Fli Bio që ju vjen me taksi nga Kukësi…

Fli Bio që ju vjen me taksi nga Kukësi…

May 6, 2020

Nëse deri dje i keni dhënë gaz makinës për t’iu shpënë në Prizëren, Gjakovë a Prishtinë vetëm për një racion Fli, ajo sot ju vjen në shtëpi dhe bio. Nga Kukësi.

Familja Elezi ka një traditë 50 vjeçare të të bërit të Flisë dhe mendon se origjina e këtij gatimi tradicional shqiptar është nga Luma e Kukësit.

Tastealbania foli me djalin e shtëpisë, Edisonin 21 vjeçar që në krye të herës, pak më shumë se një vit më parë, iu bashkua të ëmës, thjesht për ti dhënë një dorë, por sot ky biznes në fillimet e tij i ka hyrë në gjak dhe mendon se si ta zgjerojë.

Ajo që i pëlqen dhe e tërheq më shumë Edisonin, është provovimi i traditës përmes gatimit të Flisë, mandej sigurisht edhe fitimet, sepse punon dhe respekton punën dhe veten, prandaj duhet të shpërblehet.

Edison Elezi

“ Është një biznes familjar. Ka filluar nga mami dhe gjyshja në qytet dhe rrethinat aty afër. Më pas jemi angazhuar e gjithë familja nga pak për ta zgjeruar veprimtarinë dhe në qytete të tjera. U bë më shumë se një vit .Idea ishte e mamit ngaqë gatuante gjatë ndonjë feste për njerëzit e afërt dhe më shprehu një ditë dëshirën për të hapur nje adresë në internet.”- tregon Edisoni.

Pas kësaj dëshire, filluan të fotogafojnë procesin e bërjes dhe produktin përfundimtar duke i postuar fotot mandej në rrjetin instagram. Porosia e parë, tregon Edisoni, qe shumë motivuese dhe erdhi më shpejt se ç’e pritën.

Për të, pjesa më interesante në këtë proces është zbulimi që mamaja ka talent në fotografi dhe qesh….

Edisoni thotë se kanë tentuar të gjithë në familje të fotografojnë procesin e gatimit të flisë, “po me sa duket ajo e di më mirë se çfarë do të tregojë dhe këtë e bën shumë mirë.”

Tradita

Flija është pjesë e familjes Elesi që prej më shumë se 50 vitesh. “Flitet shumë për origjinën e saj. Disa thonë që është nga Kosova, disa thonë që e ka origjinën nga Dibra.  Ne themi që është nga Luma (krahinë e Kukësit) kështuqë tradita është e hershme, pavarësisht origjinës.”- thotë Edisoni duke vijuar rrëfimin se “Fakt interesant është që Kosova në vitin 2018 e ka futur te lista e trashëgimisë kulturore të përkoshshme.”

Si gatim tradicional verior Flija gatuhet specifikisht për ditën e Verës, festa të tjera si dhe në rast se vjen një mik i rëndësishëm.

Gjithashtu në zonën e Kukësit, Flija gatuhet dhe në rastin e pjelljes së lopëve. Për të festuar prodhimtarinë, gjithashtu për të përdorur qumshtin e lopës në ditët e para (kulloshtër).

“Ne kemi minimumi 50 vjet që gatuajmë Flinë. Duke qenë se ne vijmë nga i njëjti vend me Flinë, kemi vendosur të nxjerrim zë për këtë gatim tradicional me vendlindje Lumjanë, duke e promovuar në gjithë qytetet e Shqipërisë.”- tregon Edisoni.

Si e gatuajnë Elezët Flinë

Brumi i përgatitur pasi vendoset në tepsi lihet për tu pjekur në prushin e druve. Saçi i përgatitur posaçërisht për gatimin e flisë pasi është nxehur në prush vendoset mbi tepsi ku ndodhet brumi. Flija ka disa shtresa dhe duke hedhur brumë mbi brumin e pjekur piqet afërsisht për 3 deri në 4 orë. Pas pjekjes shërbehet me dhallë ose me mjaltë për të ftuarit.

“Duke qenë një gatim që kërkon kohë dhe i lodhshëm fizikisht, konsiderohet si respekt nëse ti gatuan Fli për miqtë që të bujtin në shtëpi”- thotë Edisoni.

E veçantë e Flisë së Elezajve janë produktet bio, të cilat i rrisin vetë; vezën nga pulat e bahçes, qumështin dhe gjalpin nga lopët e tyre, gjithashtu dhe miellin nga të korrat e tokave të tyre. Pjekja me saç me dru luan rol të rëndësishëm në shijen e Flisë.

Flinë e pjekin në oxhak duke ngrohur saçin në zjarrin e druve.

Ata gatuajnë në bazë të porosive, por oxhakun, tregon Edisoni, e ndezin çdo ditë, “gjithashtu kanë filluar të porosisin dhe byrek ose pite siç i themi ne kështu që i bëjmë të dyja.”

Një Fli me miell gruri kushton 3700 lekë All , ndërsa Fli me miell misri 4000 lekë All bashkë me transportin.

Qytetet nga të cilat Elezajt marrin më shume porosi janë:Tirana dhe Durrësi, por gjithashtu operojnë dhe në Shkodër,Laç,Elbasan,Kukës.

Porositë vijnë kryesisht nga familjarët.

Dhe me transportin merren përgjithësisht Edisoni me të motrën.

Transporti merr 2:30-3 orë dhe kushton 300 lekë.

“Roli im në këtë biznes familjar është menaxhimi i instagramit dhe komunikimi me klientin. Gjithashtu dhe transporti. Më pëlqen shumë duke qenë se është dhe familjar. E nisa me idenë që të mbështes familjen me rrjetet sociale, por tani kam filluar të mendoj se si mund të zhvillohet më tej dhe kemi disa ide dhe plane që po përpiqemi ti realizojmë me hapa të vegjël. Ne marrim kënaqësi për prezantimin e Flisë, por gjithashtu ka dhe fitime. Klientët janë të kënaqur saqë bëjnë porosi të dyta dhe japin sugjerime tek miqtë dhe të afërmit e tyre.”- thotë Edisoni.

Ai mezi po pret që lëvizja të çlirohet dhe të rinisë sërish punën për të plotësuar kërkesat e klientëve të tij në qytetet e Shqipërisë.

“Kishim bërë një plan biznesi më përpara. Tani me ardhjen e kësaj situate të re jemi duke rimenduar se si do ta vëmë në punë dhe cfare të ndryshojmë. Jemi afër disa ideve shumë interesante. Duhet më shumë marketing dhe gjithashtu kemi dëshirë të sjellim më shumë turistë në Kukës. Kukësi është një qytet shumë interesant që nuk është promovuar dhe ka shumë surpriza. I pasur me site arkeologjike, monumente kulture të kategorisë së parë. Liqeni i Fierzës si dhe tunelet e nëndheshme të qytetit.”- tregon Edisoni.

Ai shpreson shumë që të jetë një zë që të afrojë turistë lokalë por dhe të huaj në Kukës.

Edisoni është optimist dhe mendon se e ardhmja është premtuese “nëse e krijojmë vetë duke punuar çdo ditë.”

Receta e Flisë për ata që duan të eksperimentojnë 😊

Për të gatuar një tepsi Fli duhen këto produkte:

miell gruri ose misri,

vezë,

qumësht,

vaj,

gjalp,

ujë dhe kripë.

Marrim miellin,ujin e ngrohtë së bashku me kripë i përziejmë në një enë deri sa të hollohet brumi, pastaj i hedhim 1 litër qumësht në po atë enë duke e përzier përsëri që brumi të hollohet më imtësisht. Në një enë tjetër i rrahim 20-25 kokrra vezë më pas hedhim vajin e gjalpin, kështu përgatiten produktet e më pas vazhdon pjekja me saç me dru.

Instagram për porosi: #bio_taksi_3

#duafli #flikukesi

Recent comments

*
*
*

Kategori

TË FUNDIT